
Green Talks: “Mirëqenia psikologjike në qytete industriale”
Në qytetin që për dekada ka mbajtur barrën e industrisë më të madhe metalurgjike në Ballkan, u zhvillua një prej bisedave më të thella të Green Fest 15. Nën kuadrin e Green Talks, antropologia Rozafa Berisha dhe psikologia Veronë Perçuku sollën një diskutim të hapur me titullin “Mirëqenia psikologjike në qytete industriale”, pjesë e Green Talks të festivalit për këtë vit.
Diskutimi theksoi se toksiciteti nuk është vetëm kimik dhe i matshëm me aparatura, por edhe social, kulturor dhe psikologjik. Ai manifestohet në mënyrën si ndërtohen marrëdhëniet, në nivelin e polarizimit shoqëror, në izolimin e komuniteteve dhe në ndjenjën e humbjes së kontrollit mbi jetën.
“Toksiciteti nuk është vetëm ndotje në ajër apo në ujë. Ai shfaqet në mënyrën si flasim me njëri-tjetrin, si e përjashtojmë njëri-tjetrin, si i heshtim problemet. Është pjesë e përditshmërisë sonë,” u shpreh antropologia Rozafa Berisha.
Psikologia Veronë Perçuku e solli bisedën në dimensionin e shëndetit mendor: “Truri bën kompromise mbijetese. Kur përballet me ndotje dhe stres kronik, ai zgjedh rrugët më të shpejta për të ruajtur energjinë, duke sakrifikuar kapacitetin për përqendrim, kreativitet dhe përpunim të thellë. Kjo sjell ndjenja pafuqie dhe rritje të depresionit.”
Në publik u ngrit pyetja nëse ndotja ndikon në inteligjencë. Perçuku solli shembuj nga studimet ndërkombëtare me tek binjakët gjenetikisht identikë, rritja në mjedise me ndotje të ndryshme lidhet me ulje të aftësive njohëse dhe shenja më të larta të stresit oksidativ në tru. “Kjo nuk do të thotë se komunitete të tëra janë ‘më pak të zgjuara’ – por se cilësia e jetës bie dhe pabarazitë bëhen edhe më të thella,” sqaroi ajo.
Një nga pikat më të diskutuara ishte çështja e shpresës. Berisha e theksoi se shpresa nuk është një ndjenjë spontane, por një konstrukt social: “Shpresa ndërtohet përmes hapësirave të sigurta, përmes komunitetit dhe përmes rezultateve konkrete që njerëzit i shohin.”
Nga ana tjetër, debati kaloi edhe tek kompromiset industriale. Çfarë zgjedhim: një fabrikë që ndot por punëson dhjetëra familje, apo mbylljen e saj në emër të shëndetit? Perçuku theksoi: “Nuk mund të mbesim te zgjedhja ‘ose-ose’. Duhet të krijojmë rrugë tranzicioni të drejta që sigurojnë njëkohësisht punësim dhe mjedis të pastër. Vetëm kështu shmangim ndjenjën e padrejtësisë.”
Në fund të bisedës, publiku kërkoi të dijë: a ka detoksifikim? A mjaftojnë aktivitetet si çiklizmi, kajaku apo sporti në natyrë?
Perçuku u përgjigj: “Po, aktivitetet e tilla ndihmojnë në uljen e stresit dhe në krijimin e komunitetit. Por kjo është vetëm mikro-detoksifikim. Pa masa makro, pa politika publike, pa rregulla për ndotjen dhe pa alternativa ekonomike të gjelbra, është e pamjaftueshme.”
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtuatë ardhmes së qytetit të Mitrovicës: qyteti bart kujtime të rënda të toksicitetit, por njëkohësisht ka potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar modele të reja. Me male, lumenj dhe trashëgimi industriale, Mitrovica mund të kthehet në laborator të gjelbërimit dhe të tranzicionit drejt ekonomisë së pastër.
“Nëse toksiciteti është i shumëfishtë, edhe zgjidhja duhet të jetë shumëfishtë: nga zakoni i përditshëm te plani urban, nga laboratorët e shkollës te vendimet e këshillit komunal,” u tha në mbyllje.