BACK TO TOP

GreenFest

Trajtimi i çështjeve klimatike përmes “traceabeelity” – Narta & Hana Voca

7 Arte është e ngazëllyer për partneritetin me YEE (Youth and Environment Europe) në projektin “Showcasing the Unheard”, pjesë e të cilit janë artikujt motivues të grave të reja në Kosovë që theksojnë lëvizjet lokale për çështjet klimatike dhe mjedisore. Do të fillojmë me historinë e Narta Voca-s dhe motrës & partneres së saj Hana.

Narta Voca është një inxhiniere ushqimore e specializuar në bujqësinë e qëndrueshme. Ajo punon me zinxhirët globalë të furnizimit në nivel prodhimi (fermë) dhe përpunimi (industri) për të verifikuar praktikat e burimeve të qëndrueshme. Narta ofron shërbime konsulence për kompanitë ndërkombëtare për t’i ndihmuar ato të kalojnë drejt qëndrueshmërisë, ndërsa motra e saj Hana Voca është një agronome me përvojë të gjerë në kërkime dhe menaxhim projektesh.

Në vitin 2016/17, Narta ishte duke punuar në studimet e saj master në Bari, Itali për cilësinë dhe origjinalitetin e mjaltit nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë Hana po kryente doktoraturën. Rezultatet e hulumtimit ishin shumë emocionuese dhe premtuese për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të bletarisë në Kosovë.“Më kujtohet se në fund të hulumtimit kisha sjellë në shtëpi mbetjet e mostrave të mia të mjaltit dhe së bashku me Hanën po shijonim, analizonim dhe komentonim. Lindi ideja e valorizimit të mjaltit lokal. Por më vonë, teksa po punonim për formimin e idesë sonë startup, nuk mund të shkonim më tej pa integruar parimet e qëndrueshmërisë”, shpjegon Narta. Kështu, Narta dhe Hana themeluan një startup të quajtur “traceabeelity” i cili synon ndërtimin e një zinxhiri të vlerave lokale dhe të qëndrueshme të mjaltit në Kosovë.

“Ne përdorim mjaltin, i cili është një produkt i ëmbël, tërheqës dhe shumë i kërkuar nga njerëzit në Kosovë për të rritur ndërgjegjësimin për aspektet sociale dhe mjedisore të prodhimit të tij. Shpalosja e së vërtetës dhe ngritja e zërit tonë për çështje të ndjeshme si barazia gjinore, të drejtat e punëtorëve, trajtimi i drejtë dhe tregtimi i drejtë, ruajtja e biodiversitetit, mirëqenia e kafshëve, etj. është ajo që ne po bëjmë me projektin tonë.”

Narta nuk mund të përcaktojë saktësisht datën kur ka filluar të merret me çështjet klimatike dhe mjedisore, por shprehet se sa më shumë informohet për problemet mjedisore, aq më shumë i jep prioritet atyre çështjeve në jetën e saj profesionale dhe personale.“Kam një karrierë në sektorin e ushqimit dhe bujqësisë; Për mua çështjet klimatike dhe mjedisore nuk janë diçka që mund ta shpërfill. Si profesionist, ju informoheni mirë me fakte të drejtpërdrejta shkencore pa i ‘sheqerosur’, dramatizuar apo politizuar ato. Unë jam duke vëzhguar ndikimet negative të ndryshimeve klimatike, duke i diskutuar ato çështje në një nivel intelektual me kolegët e mi dhe gjithmonë duke kërkuar mënyra për të vepruar më mirë.”

Tutje, Narta së bashku me Hanën po punojnë me një shoqatë bletërritëse të grave për të ndërtuar kapacitete dhe për t’i trajnuar ato për praktikat e qëndrueshme të bletarisë dhe cilësinë e mjaltit, por gjithashtu shfrytëzojnë këtë mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e bletëve në ekosistem, biodiversitet dhe aspekte të tjera mjedisore.

Përfshirja e grave në bujqësinë e Kosovës

Narta shpjegon se ata e kanë çuar “ tracea bee lity ” në një nivel tjetër, duke vënë fuqizimin e grave si pjesë qendrore të punës së tyre. ““Bujqësia në Kosovë është një sektor që varet nga fermerët e vegjël. Është një sektor i udhëhequr kryesisht nga prodhuesit meshkuj. Nga përvoja jonë në terren, jemi të vetëdijshme se pjesëmarrja e grave në procesin e vendimmarrjes është shumë më e ulët në krahasim me burrat, ndërsa pjesa e grave në fuqinë punëtore bujqësore është shumë më e lartë. Ndërkohë, puna e tyre ndikohet gjithnjë e më shumë nga degradimi i mjedisit, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe migrimi jashtë vendit. Shpesh është e panjohur, e pakualifikuar dhe e papaguar.”

“Tashmë ka shumë sfida dhe pengesa të njohura sociale dhe mjedisore për gratë prodhuese, të cilat ne po synojmë t’i trajtojmë në zinxhirin e furnizimit të mjaltit. Ne kemi zgjedhur të punojmë me një grup grash bletaresh për t’i fuqizuar ato dhe për t’u integruar në zinxhirin tonë të qëndrueshëm të furnizimit. Është treguar se fuqizimi i grave ka gjithashtu përfitime më të gjera. Kur gratë prosperojnë, ato priren të investojnë më shumë në shtëpitë dhe familjet e tyre, duke u dhënë fëmijëve të tyre ushqim më ushqyes, duke i mbajtur ata të shëndetshëm, duke siguruar arsimim etj”, shprehet Narta.

Sa i përket ndikimeve të krizës klimatike në zonën e saj lokale, Narta me të drejtë pohon se ndikimi negativ i ndryshimeve klimatike po ndihet jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën.. “Mungesa e ujit, valët e të nxehtit, thatësirat dhe përmbytjet janë disa shembuj që shohim në jetën tonë të përditshme. Në përvojën time personale me bletarinë, unë luftoj për të prodhuar mjaltë të mjaftueshëm për bletët e mia, e lëre më për të prodhuar një tepricë për të shitur. Bletaria po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u mbajtur si profesion. Mjerisht, ky nuk është i vetmi sektor i prekur nga kriza klimatike dhe ky problem as që duket se do të largohet së shpejti.”

Narta (traceabeelity), Venera Kelmendi (bletërritëse) dhe Arlinda Kastrati (bletërritëse dhe themeluese e Shoqatës së Bletarëve të Grave “Bletat e Pejës”)

“Mendoj se kam gjetur diçka për të cilën më intereson, dhe thjesht po bëj pjesën time në atë fushë.”

Situata në Kosovë nuk është aq e ndritshme sa do të shpresohej. Një zhvillim i qëndrueshëm kërkon progres në një sërë fushash zhvillimi. Çështjet mjedisore nuk janë prioritare siç duhet.“Sidoqoftë, për mendimin tim Kosova është një vend unik, për shembull është një vend i vogël, një individ mund të kontaktojë lehtësisht dhe të mobilizohet me njerëzit kyç dhe të bëjë ndryshime. Ekipi ynë në ‘traceabeelity’beelity përfitoi prej kësaj duke kontaktuar me njerëz që ende po na mbështesin dhe na udhëzojnë me projektin.”

Kur pyetet se si ia del të ecë përpara pas eksperiencave demotivuese, Narta pohon se do të ketë gjithmonë periudha të vështira, kështu supozohet të jetë jeta. “Por unë do t’i sugjeroja të gjithëve që të kërkojnë diçka që i emocionon si dhe të gjeni gjëra të cilat ju interesojnë, dhe t’a përkushtoni energjinë tuaj atje. Kur punoni në fushë ose çështje që ju interesojnë, do të gjeni forcën për të kapërcyer çdo vështirësi.”

Post a Comment

Welcome to

Don’t miss the opportunity to be a part of something special, an opportunity to make a difference. We hope to see you at Green Fest-XIII