Reagim publik nga 7Arte
Gjatë javës së shkuar, një grup prej 10 studentësh të përzgjedhur, bashkërisht dhe nën drejtimin e artistit Driton Selmani, kanë punuar për ideimin dhe ndërtimin e një vepre arti që në thelb të saj shpreh nevojën e mbrojtjes së lumenjve të Mitrovicës, të cilët, si kurrë me parë kanë vlerë jetike për ne. Vepra është vendosur në shetitoren pranë lumit Ibër gjatë ditës së djeshme, dhe po atë ditë (në orët e vona) është djegur me qëllimin për ta shkatërruar atë. Duket alegorike se si një vepër e krijuar me qëllim ndërgjegjësimin mjedisor dhe marrjen e masave për mbrojtjen e lumenjve, është djegur, duke krijuar një dëm të mëtejshëm ndaj mjedisit.
Organizata kulturore 7Arte shpreh kundërshtinë dhe shqetësimin e saj të madh për këtë akt dhune të kryer ndaj një vepre artistike, me gjasa edhe në keqkuptim të thellë të qëllimit të saj.
Ne do t’i drejtohemi organeve kompetente administrative dhe të drejtësisë, deri kur autorët të përgjigjen përballë ligjit.
Ky akt e bën (edhe pse fatkeqësisht) veprën edhe më të fuqishme, sepse nënvizon sërish se gjuha e artit është e drejtpërdrejtë dhe provokuese, duke gërryer rrënojat e shtresave të mbivendosura paragjykuese të autorëve të vandalizmave të tillë të shëmtuar.
Ne ritheksojmë edhe një herë besimin tonë tek liria e shprehjes, duke e njohur së thelli përkrahjen e kahershme të lirisë (qoftë kjo liria artistike) si lajtmotiv jete të qytetarëve të Mitrovicës.
Aktin e dhunshëm kryer ndaj veprës e cilësojmë si frikacak, të kryer nën pushtetin e paragjykimit dhe botëkuptimit të ngushtë, dhe ndiejmë keqardhje për këtë shprehi të vjetëruar të një mentaliteti që nuk i përket popullit tonë.