BACK TO TOP

GreenFest

#MoseMerrMalin, lëvizja kundër “vrasësit të heshtur”

7Arte është e ngazëllyer të ndajë historinë e Elira Sahitajt dhe fushatën #MoseMerrMalin. Ky është artikulli që thekson lëvizjet lokale të grave të reja për çështjet klimatike dhe mjedisore në vendin e Kosovës, pjesë e projektit “Showcasing the Unheard” që organizohet nga YEE (Youth and Environment Europe).

Elira Sahitaj është 23 vjeçare, ka studiuar Filozofi në Universitetin e Prishtinës në Kosovë. Rrugëtimi i Elirës si aktiviste mjedisore nisi që në moshën 13-vjeçare, duke u angazhuar në nisma të ndryshme për të mirën e komunitetit ku ajo jetonte.“Një faktor kyç për angazhimin tim aktual në çështjet e ndryshimeve klimatike është Sustainability Leadership Kosova (SLK), një OJQ ku unë punoj tash e një vit e gjysmë”.

Sustainability Leadership Kosova në bashkëpunim me Institutin për GIS dhe Teknologji Gjeohapësinore të Kosovës IGGTK, CorrelAid dhe MasterStory në Holandë ka udhëhequr nje hulumtim mbi shpyllzimin e Kosovës. Me përdorimin e teknologjisë së Sistemit Informativ Gjeografik (GIS) dhe duke përdorur imazhe satelitore nga Agjencia Hapësinore e Evropës, SLK ka mësuar se gjendja e pyjeve në Kosovë në 20 vitet e fundit është alarmante. Hulumtimi i bërë dhe harta interaktive e punuar shpjegon në mënyrë vizuale këtë. Kështu është krijuar levizja #MoseMerrMalin, ngjarje publike e cila shënon fillimin e lëvizjes për mbrojtjen dhe regjenerimin e pyjeve të Kosovës Emri i lëvizjes dhe materiali i është inspiruar nga aktivistët, pjesëmarrës të projektit #CreAct përkrahur nga Community Development Fund si pjesë e Human Rightivism Project.

Lëvizja MoseMerrMalin ka qenë një faktor kyç që më bëri të kuptoj se nuk mund të qëndroj si spektator dhe të shikoj mjedisin e vendit tim duke u shkatërruar ngadalë Në SLK ne e quajmë shpyllëzimin “vrasësi i heshtur”.

Elira shprehet se përfshirja në #MoseMerrMalin u bë misioni i saj profesional dhe personal.. “Unë jam angazhuar me aktivizmin mjedisor që kur isha 13 vjeç, por angazhimi im profesional në lidhje me çështjet mjedisore filloi me punën time në SLK rreth një vit e gjysmë më parë, ku arrita të kuptoj vërtet nevojën për t’u përfshirë dhe për të bërë më shumë rreth ndryshimeve klimatike dhe praktikave të tjera të qëndrueshmërisë. Kur fillova të punoj në SLK, hasa në vizualizimin e të dhënave të sakta për shpyllëzimin në Kosovë, ku mund të kuptohet menjëherë se Kosovës i kanë mbetur shumë pak male të shëndetshme. Të qenit e vetëdijshme për problemin e shpyllëzimit më bëri të etur për t’u përfshirë më shumë në këtë lëvizje dhe për të ndihmuar në çdo mënyrë që mundem. Ka pasur disa sfida, sidomos kur kemi nisur fushatën për herë të parë, shumë njerëz na kanë thënë pse kujdesemi për pyjet dhe pse vazhdojmë të flasim dhe të punojmë për to, por kjo nuk na ka dekurajuar kurrë në asnjë mënyrë. Jemi të vendosur të punojmë me MoseMerrMalin derisa pyjet e Kosovës të rigjenerohen dhe mbrohen.”

Elira është një entuziaste e natyrës, ajo ushtron kopshtarinë urbane në mënyrë që të ndihet më e lidhur me natyrën pasi jeton në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, i cili ka hapësira të kufizuara të gjelbra. “Për shembull, në Prishtinë gjatë ditëve të nxehta të verës sa herë që shkoni në qytet mund të ndjeni nxehtësinë ekstreme që vjen nga ndryshimet aktuale klimatike. Për më tepër, një tjetër dukuri e shpeshtë janë bubullimat e forta dhe stuhitë e breshrit të cilat shkaktojnë shumë dëme në të mbjellat”, shpjegon ajo ndikimet e krizës klimatike në zonën e saj.

Redukto, ripërdor, riciklo!

Elira e vlerëson ngritjen e ndërgjegjësimit si një nga çelësat kryesorë për angazhimin e të rinjve dhe të gjithë njerëzve në çështjet klimatike dhe mjedisore. Ajo thotë se vetëdija është ajo që i mungon më së shumti popullit të Kosovës, një faktor kyç që pengon zhvillimin e aktivizmit rinor.“Jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel global, angazhimi i të rinjve në sensibilizimin e çështjeve mjedisore është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe luan një rol të madh, duke pasur parasysh se rinia është e ardhmja e një vendi, është shumë e rëndësishme të shihet angazhimi i të rinjve në këtë aspekt. Mjedisi është e ardhmja dhe nëse nuk dëgjohemi dhe/ose nuk përfshihemi në këto çështje, nuk do të kemi të ardhme. Përveç rritjes së vetëdijes, Elira beson se Kosova duhet të punojë në legjislacion. “Duke marrë shembuj të vendeve të ndryshme se si i menaxhojnë problemet mjedisore dhe duke vëzhguar mënyrat se si disa vende i qasen çështjeve të krijuara nga kriza klimatike, si për shembull vendet skandinave.”

Mesazhi i fundit i Elirës për të gjithë është: “Reduktoni, ripërdorni, ricikloni: Është koha për të ndërmarrë veprime për Natyrën tonë! Nëse ne nuk marrim masa tani dhe presim që gjeneratat e ardhshme ta bëjnë këtë, ne do të paguajmë çmimin dhe jo ata.”

Post a Comment

Welcome to

Don’t miss the opportunity to be a part of something special, an opportunity to make a difference. We hope to see you at Green Fest-XIII