
Green Talks: “Metalet e rënda me potencial toksik”
Në kuadër të edicionit të 15-të të Green Fest, Prof. Asoc. Dr. Flora Zabërxha Ferati mbajti një prezantim të thelluar mbi ndotjen industriale dhe trashëgiminë mjedisore të Trepçës. Ajo e përshkroi Mitrovicën si një qytet që, krahas historisë së lavdishme industriale, bart ende plagët e metaleve të rënda të përhapura në tokë, ajër dhe ujë.
Gjatë fjalës së saj, Zabërxha Ferati sqaroi se toksiciteti nuk është koncept abstrakt, por realitet i përditshëm që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e komunitetit. Ajo theksoi se metalet si plumbi, kadmiumi, arseniku dhe merkuri, të mbetura nga proceset e dikurshme industriale, vazhdojnë të qarkullojnë në mjedis dhe të përthithen nga njerëzit, bimët dhe kafshët.
“Toksiciteti është në ajrin që thithim dhe në ujin që përdorim. Nuk mund ta shmangim, por mund ta kuptojmë, ta masim dhe ta zbusim,” tha ajo.
Në diskutim u theksuan edhe nevojat për monitorim të vazhdueshëm të ajrit, ujit dhe tokës, sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe domosdoshmëria e ndërhyrjeve institucionale për rehabilitim. Zabërxha Ferati shpjegoi se, megjithëse proceset industriale kanë ndaluar prej kohësh, deponitë e hapura dhe mbetjet e pamenaxhuara vazhdojnë të jenë burime ndotjeje të përhershme.
Ajo kërkoi bashkëveprim ndërmjet institucioneve, organizatave mjedisore dhe komunitetit lokal për ta kthyer këtë trashëgimi toksike në një plan konkret të veprimit.
“Kostoja e mosveprimit është shumë më e madhe se kostoja e rehabilitimit,” u shpreh ajo, duke theksuar se Green Fest është një hap i rëndësishëm për ta bërë këtë temë pjesë të ndërgjegjes kolektive.
Prezantimi i saj u prit me interes të veçantë nga pjesëmarrësit e Green Talks, duke hapur një debat të vlefshëm mbi rolin që mund të ketë Mitrovica në ndërtimin e një modeli të ri bashkëjetese mes industrisë dhe natyrës.