
Deklaratë Reagimi
Për mbrojtjen e fushave, maleve dhe mjedisit tonë të përbashkët
Green Fest shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për dëmet e mëdha që po shkaktohen nga djegia e qëllimshme apo aksidentale e fushave dhe maleve në rrethinën e Mitrovicës e më gjerë. Këto akte jo vetëm që shkatërrojnë ekosistemet natyrore, por edhe përkeqësojnë cilësinë e ajrit dhe shëndetin e banorëve tanë. Kjo që po ndodhë me zjarret, mund të cilësohet dëmi më i madh ekologjik pas vërshimeve të vitit 2023.
Andaj, ftojmë të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes dhe vigjilencë maksimale ndaj çdo situate që i shkakton dëm mjedisit; nga aktet e vogla si hedhja e shisheve të qelqit e plastikës nga veturat, deri tek ndotja e lumenjve dhe hedhja e mbeturinave përsaj rrugëve e në natyrë.
Apelojmë për bashkëpunim të ngushtë me organet e rendit dhe sigurisë për raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të zjarrvënies ose ndotjes, duke mos lejuar që mjedisi ynë të dëmtohet edhe më shumë.Ngase çdo dëm që po bëhet sot, do të lë gjurmë të dëmshme për gjeneratat e ardhshme.
Mitrovica është një qytet që ende bart plagët e një të kaluare të rëndë industriale. Nuk duhet ta helmojmë edhe më tej me veprime të papërgjegjshme. Mbrojtja e natyrës është përgjegjësi e secilit prej nesh.
Le të ruajmë gjelbërimin, ajrin e pastër dhe bukurinë natyrore të vendit tonë, sot dhe për të ardhmen.
Mitrovica Green Fest