AKTIVISTJA QË LEXON NEVOJAT E QYTETIT TË SAJ
7Arte është e ngazëllyer të ndajë artikullin e katërt dhe të fundit në kuadër të projektit “Showcasing the Unheard” në partneritet me YEE (Youth and Evironment Europe), që thekson lëvizjet lokale të grave të reja të Kosovës. Kjo është historia e aktivistes së gjithanshme Mevlude Skuroshi.
Mevlude Skuroshi jeton dhe vepron në qytetin e Mitrovicës, një prej qyteteve më të prekura politikisht në veriun e Kosovës. Ajo njihet si një prej qytetareve më aktive, me punë të pandalshme e të palodhshme për komunitetin për vite rradhazi. Formimin profesional dhe kuptueshmërinë e organizatave civile në fushë të aktivizmit e ka arritur përmes angazhimit në organizatën GAIA nga viti 2016, megjithëse s’ka pasur diçka të qëndrushme në Mitrovicë. “Pasi jam kthyer në 2017 prej punës vullnetare në Skoci, ku isha per 6 muaj, e kam parë që jam identifikuar me vlerat e organizatës, andaj kam qëndruar me ta.”
Prej vitit 2017 Mevludja është angazhuar në sektorin e shoqërisë civile me angazhim profesional dhe është marrë kryesisht me çështje që i përkasin qytetit të Mitrovicës. Atje ajo bashkë me të rinj të tjerë aktiv në GAIA ka nisur një program të organizatës në vitin 2018. “Kemi inicuar programin për ndërtim të paqes, qëllimi kryesor ka qenë përafërimi i njerëzve që jetojnë në të dy anët e qytetit. Në fillim kemi qenë nomad, s’kemi pasur zyre tonën andaj kemi lëvizur nëpër zyre të të tjerëve. Njëheri kemi pasur kohë të lexojmë nevojat e qytetit.” Kështu në periudhën e pandemisë ata kanë themeluar nismën SOCIAL SPACE FOR DECONSTRUCTION së bashku me vullnetarë ndërkombëtar.
Pasioni për letërsi dhe eko-poezi
Pasioni i Mevludes mbetet letërsia, e diplomuar në gjuhën dhe letërsinë angleze, ajo si temë diplome ka përzgjedhur pikërisht emergjencën mjedisore në poezinë e poetit anglez Ted Hughes. “Jam munduar të gërshetoj një dashuri timen me një shqetësim timin.” Kur ka shkuar në Skoci si vullnetare, ajo ka pasur rastin të vizitoj edhe vendin ku ka shkrujtur ky poet i saj i preferuar, në Yorkshire (Angli). Mevludja flet me admirim për Hughes dhe eko-poezinë e tij. “Ishte kurioz për florën dhe faunën, ndaj kur ishte i vogël kapte çdo gjallesë që gjente dhe e mbante në xhepa. Kur u rrit, shkroi për to dhe tha; tani, në vend që t’i kapte fizikisht, po i kap në poezi, sepse e kishte parë mizorinë e aktit të tij fëminor. Ai ka shkruar poezi shumë të thella që kuptojnë biologjinë dhe ekologjinë e kësaj bote.”
“Për të ardhmen nuk e di specifikisht se çka do të bëjë, për shkak se varet se çfarë nevoje do të shfaqet në qytet, mbi çfarë kauze do të duhet të lobohet.”
Mevludja shprehet se mënyra si ajo i qaset problemeve është që pasiqë e sheh problemin, merret me të; e ndreq. Përveq të qahen halle për mënyrën se si pushteti po neglizhon ambientin, ideja është të punohet në këtë fushë edhe të arrihet një hap tej. Për shembull, gjatë muajit tetor 2021, papritmas u shfaq një problem i ri në Mitrovicë; u shtrua një asfalt në parkun e qytetit. “Ne filluam të mobilizohemi, të kontaktojmë njerëz, si e çka të veprojmë. Puna me aktivizëm është se shumë shpesh ballafaqohesh me situata që s’janë të ngjashme, s’ka manual që të mëson si të qasesh për shkak se secili problem kërkon qasje të ndryshme. Kemi ushtruar presion në komunë, tek drejtoritë e caktuara të inspekcionit, kemi shkruajtur letër të hapur drejtuar komunës, peticion, kontakt me media, piknik mbi asfalt, aksione të tjera në park, madje e kemi realizuar një këngë që titullohet asfalti (linku për këngën: https://www.youtube.com/watch?v=idrOdPLq8v8), një formë satire që është frymëzuar nga ajo çfarë ka ndodhur. Më vonë një pjesë e asfaltit arriti të eleminohej, mirëpo një pjesë ende ka mbetur edhe është mbuluar me dhe, thjesht është rrafshuar. Në maj e kemi pasur një aksion ku kemi mbjellur lule rreth asfaltit. Nese komuna nuk na i mbron hapësirat e përbashkëta publike, atëherë ne duhet të angazhohemi vet. Në kësi kauza shpeshherë mbetet njeriu vet, andaj është me rëndësi mos të demotivohemi, e prapë me trokitet në derë të njerëzve edhe të vazhdohet. Pra kurdo që u paraqit problemi, ne jemi marrë me të, pasi që kauza nuk mund të shpikësh, mirëpo janë gjëra burimore që ti e vëren që na ndikojnë të gjithëve.”
Në GAIA Mevludja është aktivizuar edhe për çështjen e hidrocentraleve, në festivalin edukativ Brefest në vitin 2018. “Prej aty ka lindur lidhja me malin Sharr, pasi e kemi parë që po cenohen rrjedhat ujore jemi angazhuar dhe bashkë me përkrahjen e të tjerëve kemi arritur të ndalojmë operimin e hidrocentralit Brezovica. Kjo është një pjesë e punës time jashtë Mitrovicës, mirëpo pa dyshim ky rrezik e prek edhe këtë qytet.“
Tek hapësira publike në afërsi me SSD Mevludja së bashku me aktivistët e tjerë e kanë mbjellur një kopsht urban. Kjo ka ndihmuar që të krijohet lidhje me komunitetin, përmes diçkaje shumë të rëndësishme siç është ushqimi. ”Ndër të tjera, prej vitit 2020 kemi organizuar aksione kundër ndryshimeve klimatike në sheshin e qytetit, kemi ecur me pankarta në formë të një proteste të qetë me slogane tona që i përgjigjen problemeve botërore por edhe atyre në kontekst lokal. Edhe në SSD shfaqim filma, aty promovojmë rivitalizimin, kopshtet urbane etj.”
Barrierat shoqërore e politike
Për sfidat në vendin e saj, Mevlude shprehet se: “Tek ne mungon mobilizimi, që njerëzit të bëhen bashkë në mënyrë të mirëfilltë, mungon vetëdija qytetare si pjesëtarë të përbashkët të një hapësire publike. Problemet e përgjithshme njerëzit nuk i shohin si probleme të tyre, është klisheja që krejt ankohen që askush nuk po i zgjidh problemet.” Ajo lobon edhe për mbështjete nga udhëheqësit politik. “Une mundem të bertas pa problem, mundem sa më shumë të ndëgjohem, mirëpo dikur potenciali im përfundon, unë s’mundem t’a marrë bagerin që t’a largoj asfaltin, më duhet bashkëpunimi i ligjvënësve. Politikanët duhet të angazhojnë njerëz të fushës, ata duhet të fusin çështjet ambientale e klimatike si pjesë të agjendës, por jo vetëm formalisht. Jo vetëm të ndëgjohen duke e permendur mjedisin, por edhe të jenë faktor me rëndësi në atë fushë. Jemi një qytet post industrial, me lumenj të ndotur dhe duhet shumë punë nga komuna në këtë drejtim.”
Mevludja thekson se duhet të punohet drejt vetëdijësimit të të rinjëve. “Në shkollë duhet që mësimet ambientale e klimatike të jenë më të pranishme, jo vetëm në dimensionin teorik por edhe atë praktik. Ideja nuk është të organizohet vetëm ekskurzion që të afrohen fëmijët me natyrën, mirëpo p.sh të mbjellet një kopsht, të ruhen drunjët ekzistues e tutje. E përderisa për shumë të rinj tek ne prerja e drunjëve është mbijetesë për ta, ne mundemi me ndiku duke mbjellur drunj të rinj. Na nevojiten njerëz të fushës, që janë profesionalisht të përgatitur për çështje ambientale që të ja bëjnë të rinjëve të ditur se kanë të drejt të kërkojnë prej ligjvënësve kualitet të hapësirës publike.”
Mesazhi i Mevludes, në veçanti për të rinjët është:në motivimi im më i madh” Mesazhi i Mevludes, në veçanti për të rinjët është: “Duhet të lexoni, të shikoni dokumentar, të levizni pak, s’ka nevoj vetem të dilni jasht shtetit, mjafton të takoni njerëz të qyteteve e fshatrave të tjera, të observoni, të njihni qytetin, duhet të percillni komunën e pushtetarët dhe të edukoheni në aspektin e angazhimit qytetar.”
Ndërsa për motivimin e saj Mevludja shprehet se: “Çka më mbanë të motivar janë njerëzit përreth, jo ata që më thojnë ‘të lumtë’, por ata që më thojnë çka mund të bëjë, njerëz që dëshirojnë të angazhohen. Kjo nuk është ndonjë punë që kërkon merita, ose punë qejfi, kjo është një punë që duhet të bëhet, s’vjen në shprehje a ke apo s’ke motiv.”