
Green Talks: “E vërteta mbi ndotjen kimike”
Prof. Asoc. Dr. Milihate Aliu sqaroi se merkuri (Hg), i njohur nga populli si “zhiva”, është një metal me toksicitet të lartë dhe ndikim të drejtpërdrejt në sistemin nervor, sidomos te fëmijët dhe fetuset. Forma më e rrezikshme e tij është metil-merkuri, që lidhet ngushtë me neurotoksicitetin dhe mund të shkaktojë dëmtime serioze të shëndetit.
Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), doza maksimale e pranueshme ditore për metil-merkurin është vetëm 0.1 mikrogram për kilogram peshë trupore (0.1 μg/kg/ditë)”. Kjo është një nga vlerat më të ulëta të toleruara për ndonjë substancë toksike, gjë që tregon rrezikshmërinë jashtëzakonisht të lartë që paraqet ky ndotës.
Sipas saj, edhe pse disa metale të rënda si bakri (Cu) apo zinku (Zn) janë elementë të nevojshëm për organizmin në sasi të vogla, në përqendrime të larta ata mund të bëhen potencialisht toksike.
Studimet e prezantuara nga Prof. Aliu tregojnë se zona e hulumtuar përfshin Mitrovicën, Zveçanin dhe Vushtrrinë, me një sipërfaqe mbi 301.5 km². Kjo zonë është ndotur historikisht nga industria e rëndë, veçanërisht nga përpunimi i metaleve të rënda. Janë marrë 156 mostra të tokës nga një rrjet i rregullt i marrjes së mostrave dhe janë analizuar me metoda moderne laboratorike. Përqendrimi i merkurit shtrihej nga 0.02 mg/kg deri në 11 mg/kg, ndërsa përqendrimi mesatar ishte 0.2 mg/kg.
“Në këto zona, ndotja nuk është një supozim, por një fakt i dëshmuar shkencërisht,” theksoi ajo. Ndotja në këtë zonë përfshin substanca toksike si merkuri, kadmiumi, plumbi dhe acid sulfurik, si dhe grimca metalesh të liruara nga shkritoret, fabrikat e baterive, përdorimi i acidit sulfurik dhe proceset e elektrolizës. Për dekada me rradhë, këto substanca kanë ndotur ajrin, tokën dhe ujin në këtë rajon, ku metalet toksike bioakumulohen në mjedis dhe përhapen përmes zinxhirit ushqimor, duke shkaktuar ndikime të mëdha negative në shëndetin publik të komunitetit lokal.
Duke qenë se merkuri përbën një rrezik serioz për komunitetin lokal dhe mjedisin, është e domosdoshme që të analizohen në mënyrë të thelluar burimet, përhapja dhe pasojat afatgjata të ndotjes me Hg në zonën industriale të rajonit të Mitrovicës.
Prof. Aliu theksoi se vetëm matja e përqendrimit të një metali nuk është e mjaftueshme për të vlerësuar nivelin e ndotjes. Për këtë qëllim përdoren indekse shkencore, si faktori i kontaminimit, faktori i pasurimit dhe indeksi i rrezikut ekologjik. Këta tregues ndihmojnë në identifikimin nëse ndotja ka origjinë natyrore apo antropogjene (nga aktiviteti i njeriut).
Në përfundim të prezantimit, ajo sugjeroi nevojën për strategji konkrete për të monitoruar dhe menaxhuar ndotjen, për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe mjedisin:
- Monitorim i vazhdueshëm i ajrit, tokës dhe ujërave;
- Trajnim i stafit lokal dhe bashkëpunim me laboratorë të certifikuar;
- Informim i fermerëve lokalë për rreziqet e kultivimit në toka të ndotura;
- Përdorimi i bimëve hiperakumuluese si luledielli dhe misri për pastrimin e tokës, me trajtim të kontrolluar të biomasës;
- Menaxhim i mbetjeve të rrezikshme sipas standardeve ndërkombëtare.
Diskutimi përfundoi me një apel të qartë: bashkëpunim ndërmjet komunitetit shkencor, institucioneve lokale dhe banorëve, në mënyrë që të përballohet një problem i ndërlikuar që prek njëkohësisht mjedisin, ekonominë dhe shëndetin publik.