
Green Talks: “Efektet e ndotjes toksike në lumin Sitnica”
Në kuadër të Green Fest 15 u zhvillua diskutimi “Efektet e ndotjes toksike në lumin Sitnica”, ku u bashkuan zërat e aktivizmit dhe shkencës. MSc. Arif Kadriu, aktivist i përkushtuar dhe peshkatar, ndau përvoja personale dhe bëri thirrje për mbrojtjen e ujërave, ndërsa MSc. Hysni Beqiri, gjeolog me mbi 20 vite përvojë në ndërmarrjen Trepça, solli perspektivën shkencore mbi ndikimin e industrisë minerare dhe ndotjen nga metalet e rënda në ekosistemet ujore.
“Si peshkatar dhe si njeri që çdo ditë jam pranë ujërave të lumenjve tanë, kam parë me sytë e mi se lumenjtë po vdesin,” theksoi Kadriu. Ai tregoi se llojet e peshqve po pakësohen çdo ditë, ndërsa cilësia e ujit po bie për shkak të ujërave të zeza dhe atyre industriale. Shtrati i lumenjve është i mbuluar me plastika dhe mbeturina, të cilat jo vetëm që pamundësojnë jetën e gjallesave, por krijojnë barriera që e ngufasin ujin dhe e pakësojnë oksigjenin.
Nga ana tjetër, Beqiri shpjegoi se metalet e rënda të lëshuara nga proceset minerare dhe industriale depërtojnë në lumenj, duke dëmtuar biodiversitetin dhe duke rrezikuar shëndetin publik. Këto substanca mbesin të pranishme për një kohë të gjatë në ekosisteme dhe bioakumulohen përmes zinxhirit ushqimor, duke shkaktuar pasoja afatgjata për natyrën dhe njerëzit.
Të dy folësit theksuan se situata kërkon veprim urgjent. Kadriu e përmbylli me një apel të fortë:
“Ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave është i domosdoshëm për Mitrovicën – dhe duhet të bëhet sa më shpejt, përpara se të jetë vonë dhe lumenjtë tanë të vdesin përfundimisht.”